Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., planifikon të shkurtojë rreth 500 milionë dollarë fonde për zhvillimin e disa vaksinave të mRNA-së, njoftoi të martën Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i SHBA-së.

“Të dhënat tregojnë se këto vaksina nuk arrijnë të mbrojnë në mënyrë efektive kundër infeksioneve të sipërme të frymëmarrjes si COVID dhe gripi”, tha Kennedy në një deklaratë.

“Ne po e zhvendosim këtë financim drejt platformave më të sigurta dhe më të gjera të vaksinave që mbeten efektive edhe kur viruset pësojnë mutacione”, shtoi ai, pa dhënë detaje.

Përdorimet e tjera të teknologjisë së mRNA-së nuk ndikohen nga vendimi.

Teknologjia, e cila bazohet në planet e proteinave të vetë trupit, fitoi rëndësi gjatë pandemisë Covid-19.

Kennedy është përballur me kritika për promovimin e skepticizmit ndaj vaksinave dhe për minimin e besimit të publikut në fushatat e imunizimit, veçanërisht kundër fruthit.

Më parë ai ka pohuar një lidhje midis vaksinave dhe autizmit, një teori që është diskredituar gjerësisht nga shkencëtarët.

Ky veprim vjen mes një padie të ngritur në korrik nga disa shoqata mjekësore amerikane kundër administratës Trump.

Padia kërkon të rivendosë rekomandimet për vaksinën kundër Covid-19 për gratë shtatzëna dhe fëmijët, të cilat u hoqën në maj nën drejtimin e Kennedyt