Rezerva Federale e SHBA-se, sistemi bankar qendror amerikan, ka rritur me 0,25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke vijuar kursin e saj më të moderuar. Aktualisht, norma bazë e interesit është në rangun nga 4,5 deri në 4,75%, njoftoi dje ne mbremje Rezerva Federale. Kjo është rritja e tetë radhazi dhe hapi më i vogël që nga marsi i vitit të kaluar. Rezerva Federale e rriti normën bazë të interesit me 0,75 pikë përqindjeje disa herë, por ngadalësoi ritmin në fund të vitit të kaluar, me një rritje të normës prej 0,5 pikë përqindjeje. Të dhënat e fundit tregojnë se inflacioni i lartë në ekonominë më të madhe në botë është në tërheqje. Rezerva Federale ka qenë e ashpër në trajtimin e inflacionit të lartë, i cili shpesh ka qënë më i larti në dekada, në muajt e fundit, duke rritur normat e interesit me një ritëm të shpejtë. Së fundmi, norma e inflacionit në SHBA vazhdoi të bjerë, një shenjë e sukseseve të para të politikës strikte monetare. Në dhjetor, çmimet e konsumit u rritën me 6,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në nëntor, norma e interesit ishte 7,1%. Kjo ishte rënia e gjashtë radhazi e normës së inflacionit, por ajo është ende e lartë. ATSH