Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi sot një ndihmë të rë me vlerë 404 milionë dollarë për palestinezët, ndërsa merrte pjesë në një konferencë të ndihmës humanitare për Rripin e Gazës në Jordani.
“Sot, unë po njoftoj një ndihmë të re shtesë prej 404 milionë dollarësh për palestinezët, përveç mbi 1,8 miliardë dollarëve që SHBA-ja ka dhënë që nga viti 2021 si ndihmë zhvillimore, ekonomike dhe humanitare”, tha Blinken.
“Le të punojmë së bashku për të siguruar që më shumë ndihma të hyjnë në Gazë”, theksoi ai. Blinken u kërkoi të gjitha vendeve të ofrojnë më shumë ndihmë.
Koordinatori i ndihmës emergjente të OKB-së, Martin Griffiths tha se OKB-ja vlerëson se nevojiten 2,5 miliardë dollarë për të ofruar ndihmë për njerëzit në Rripin e Gazës nga prilli deri në fund të vitit.
Blinken tha se në muajt e fundit, Izraeli ka ndërmarrë hapa për të adresuar pengesat për dërgimin e ndihmës në Gazë, ndersa shtoi se mund dhe duhet të bëjë më shumë.
Blinken i bëri thirrje Izraelit të përshpejtojë inspektimin e kamionëve me ndihma, të shkurtojë listën e mallrave të ndaluara, të rrisë dërgesat e ilaçeve, të riparojë sistemet e ujit dhe kanalizimeve, si dhe të shmangë vdekjet e viktimave civile.
Konferenca, e quajtur “Thirrje për Veprim: Përgjigje Urgjente Humanitare për Gazën”, u organizua nga Jordania, Egjipti dhe OKB-ja.
Në takim morën pjesë liderë, ministra dhe zyrtarë të jashtëm të 75 vendeve, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfshirë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
“Lufta në Gazë është tani në muajin e saj të tetë, me humbje masive jetësh midis civilëve dhe vuajtje për të gjithë popullsinë prej mbi 2,3 milionë palestinezësh në të gjithë Rripin”, thanë organizatorët.