I dërguari i posaçëm i SHBA-së, për Lindjen e Mesme Steve Witkoff po i kërkon Iranit të ndalojë pasurimin e uraniumit përpara raundit tjetër të bisedimeve bërthamore – duke deklaruar se çdo marrëveshje përfundimtare duhej të përputhej me kushtet e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të vendosë një kornizë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Lindjen e Mesme – që do të thotë se Irani duhet të ndalojë dhe eliminojë programin e tij të pasurimit bërthamor dhe armatimit”, theksoi sot Witkoff në një postim në X.

Konsiderohet e pamundur që Irani të pranojë një ndërprerje të plotë të programit të tij të pasurimit të uraniumit si pjesë e marrëveshjes.

Uraniumi me pasurim të ulët përdoret, për shembull, për funksionimin e centraleve bërthamore. Megjithatë, uraniumi shumë i pasuruar mund të përdoret gjithashtu për ndërtimin e armëve bërthamore.

Irani ka mohuar pretendimet për prodhimin e armëve bërthamore.

Raundi tjetër i bisedimeve bërthamore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është planifikuar të shtunën, një javë pas takimit të parë.

Sipas Iranit, raundi i dytë i negociatave do të zhvillohet në Muscat, në shtetin e Gjirit të Omanit, ku do të marrin pjesë ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi dhe Witkoff.

Trump kërcënoi sërish dje Teheranin duke mos përjashtuar një sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Qeveria amerikane dhe shtetet e tjera perëndimore si dhe Izraeli synojnë të pengojnë Iranin të zhvillojë armë bërthamore.

Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë në vitin 2018, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e Vjenës – e cila ishte krijuar për të kufizuar programin bërthamor të Iranit dhe në këmbim për të hequr sanksionet ndaj tij.

Pas kësaj, Teherani gjithashtu ndaloi së respektuari përcaktimet e marrëveshjes