Tensionet e krijuara në veri të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme më 18 dhjetor ka sjellë reagimin e ndërkombëtarëve që bëjnë thirrje për qetësi dhe sigurimin që ato të zhvillohen në kushte të sigurta dhe paqësore. Bashkimi Europian ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të tregohen të kujdesshme dhe të sigurohen që të jenë gjithëpërfshirëse dhe të qeta. I pyetur nga mediat e Kosovës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se palët duhet të përmbahen nga aktet e dhunës. “Kur shqyrtohet organizimi i zgjedhjeve të pjesshme në veri, autoritet e Kosovës duhet të marrin parasysh të gjithë faktorët e sigurisë, administriv dhe politikë për t’u siguruar që zgjedhjet të jenë përfshirëse dhe në rrethana qetësie”, tha ai. Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se me tensionimin e situatës në veri nuk ka kushte që zgjedhjet të mbahen për momentin, ndërsa ka dënuar incidentet e ndodhura atje. “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë ata që janë të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje. Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, si dhe rrezikimin e jetëve, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hovenier në Twitter. Situata në veri u përkeqësua më 6 dhjetor, ku grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata. Zgjedhjet e pjesshme në veri të Kosovës u shpallën pas dorëheqjeve së Listës Serbe nga Kuvendi.https://lajme.rtsh.al/artikull/tensionet-ne-veri-te-kosoves-shba-be-te-krijohen-kushtet-per-mbajtjen-e-zgjedhjeve-me-18-dhjetor
SHBA-BE: Të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 18 dhjetor
RELATED ARTICLES