Italia ka qenë prej dekadash sinonim i elegancës dhe mjeshtërisë artizanale. Etiketa “Made in Italy” ka përfaqësuar gjithmonë cilësi, origjinalitet dhe pasion, por sot ajo përballet me një krizë të thellë. Nga mungesa e të rinjve që ndjekin profesionet tradicionale, deri te ndikimi i inteligjencës artificiale, po sfidohet vetë themeli i industrisë që dikur dominonte botën e modes, sipas “Euronews”.
Në një konferencë të mbajtur në Venecia, ekspertët e industrisë paralajmëruan se koha e artë e modës italiane mund të marrë fund nëse nuk ndërmerren masa urgjente. Ata theksuan nevojën për transparencë në zinxhirin e furnizimit dhe për përqafimin e qëndrueshmërisë si vlerë themelore e prodhimit.
Sipas tyre, vetëm kështu “Made in Italy” mund të mbetet simbol i cilësisë dhe jo një kujtim i së kaluarës.
Mjeshtëria tradicionale, si qepja e kostumeve me dorë apo punimi i lëkurës, kërkon vite trajnimi. Por sot, të rinjtë po e shmangin këtë rrugë të gjatë për karriera më të shpejta dhe më fitimprurëse.
Giuseppe Attolini, një nga emrat më të njohur të rrobaqepësisë napolitane, thotë se mungesa e praktikantëve është bërë alarmante. “Të rinjtë nuk shohin më të ardhme në këtë profesion. Ata kërkojnë para të lehta dhe rrugë të shkurtra drejt suksesit”, u shpreh ai.
Problemi është përhapur në gjithë Italinë , nga fabrikat e lëkurës në Toskanë, tek endësit e leshit në Piemonte.
Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2025 u mbyllën mbi 1 000 kompani të vogla, ndërsa vlera totale e industrisë ra nga 104 miliardë euro në vitin 2023 në 80 miliardë këtë vit.
Një tjetër kërcënim është teknologjia. Me ngritjen e inteligjencës artificiale, humbet lidhja njerëzore që e ka bërë modën italiane unike, njohja e mjeshtrit, kontakti me krijuesin dhe puna e dorës.
“Inovacioni teknologjik nuk mund të zëvendësojë inteligjencën dhe saktësinë artizanale”, paralajmëron Simone Balducci, president i Federmoda në Firence.
Megjithatë, ekspertët nuk janë pesimistë.
Në “Forumin e Modës së Qëndrueshme të Venecias” u arrit një dakordësi, e ardhmja e modës italiane do të varet nga kombinimi i traditës me transparencën dhe teknologjinë.
Organizata *”Confindustria Moda” po krijon një platformë dixhitale për të garantuar origjinën e produkteve, ndërsa Dhoma Kombëtare e Modës po përgatit kritere të përbashkëta për qëndrueshmërinë.
“Sot qëndrueshmëria nuk është një kosto, por identiteti ynë industrial”, deklaroi Luca Sburlati, president i Confindustria Moda. “E ardhmja e ‘Made in Italy’ do të jetë e qëndrueshme, konkurruese dhe e bashkuar ose nuk do të ekzistojë më fare”





