Krahas turizmit tradicional liqenor, turistët dhe pushuesit që vizitojnë Pogradecin do të kenë mundësi të ndjekin dhe frekuentojnë edhe shumë aktivitete të ndryshme sportive social kulturore që ka programuar të realizojë bashkia e Pogradecit përgjatë gjithë sezonit veror. Bashkia e Pogradecit ka publikuar kalendarin me 100 ditë aktivitete të shumta sportive, kulturore dhe artistike që do të shoqërojnë sezonin veror 2024. Nënkryetarja e bashkisë Pogradec, Entela Gusho, tha për mediet se, kalendari përfshin një shumëllojshmëri aktivitetesh që nisin prej muajit prill e deri në tetor.
Sipas saj, “këtë vit krahas koncerteve, aktiviteteve, promovimit të librit, kalendari do të jetë i pasuruar edhe me aktivitete ndërkombëtare dhe me festivalin e filmit. Risi do të jetë edhe maratona e bebeve me një shtrirje prej 3 ditësh”. Gusho tha se, vend të rëndësishëm do të zënë aktivitetet sportive ujore që do të gjallërojnë edhe më shumë sezonin turistik, ndërsa një agjendë e pasur kulturore fton të gjithë artdashësit të ndjekin aktivitete dedikuar muzikës, librit, pikturës, karikaturës, poezisë etj. Ditët kalendarike nuk shijohen vetëm nga qytetarët por dhe turistët që do zgjedhin Pogradecin për pushime duke i dhënë një tjetër ngjyrë qytetit liqenor që së fundi është bërë mjaft i preferuar nga vizitorët e shumtë.