Zbatimi i marrëveshjes për letërnjoftimet në kufijtë veriorë të vendit që lidhin Kosovën me Serbinë është duke u zhvilluar normalisht dhe pa ndonjë problem. Qytetarët nga Kosova të cilët udhëtojnë në drejtim të Serbisë nga kufiri i Jarinjës, si dhe anasjelltas, janë duke udhëtuar lirshëm pa pasur nevojë për dokumente shtesë hyrëse/dalëse. Ata po udhëtojnë nga të dyja drejtimet duke përdorur vetëm letërnjoftimet e tyre. Qytetarët serbë nuk e komentojnë shumë marrëveshjen për lëvizje vetëm me letërnjoftime. Njëri prej tyre i quajtur Sllobodan Kuceroviq tha për mikrofonin e KosovaPress se e kishte kaluar kufirin pa ndonjë problem. “Unë punoj taksi lart në Kopaonik, kështu që mund të shkoj pa problem në Prishtinë lart në Leposaviq dhe në Mitrovicë, gjithçka do të jetë mirë”, shtoi ai. Ndërsa një tjetër qytetar serb, Nikola, u shpreh se nuk i intereson shumë politika. Situatë e ngjashme sa i përket lëvizjes së qytetarëve po mbretëron edhe në kufirin e Bërnjakut. Ndryshe, gjendja e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e qetë, ndërsa pjesëtarët e KFOR-it janë pozicionuar nëpër lokacione të ndryshme si në drejtim të Jarinjës, ashtu edhe nga ana e Bërnjakut.https://ata.gov.al/2022/09/01/jarinje-serbet-pohojne-respektimin-e-marreveshjes/