Më 9 janar, në ditën e tretë të Krishtlindjes Ortodokse, në Mitrovicën e veriut pritet të mbahet protestë e serbëve të Kosovës. Protesta do të mbahet si revoltë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përkatësisht ndaj politikës së tij në raport me Kosovën. Personi që foli për mediat beogradase në lidhje me mbajtjen e kësaj proteste, është Ivan Miletiq, sipas të cilit, serbët e Kosovës janë “peng” të kësaj politike. Protesta është caktuar të mbahet në orën 12:00, në qendër të qytetit në Mitrovicën e Veriut, afër shtatores së Car Llazarit, raporton gazeta ‘Danas’ nga Beogradi.I pyetur se kush është organizatori i protestës, Miletiq është përgjigjur se është “populli i pakënaqur nga veriu i Kosovës”. Ai ka thënë se qytetarët kanë parë se me heqjen e barrikadave, se në cilin drejtim po shkon situata dhe se janë pajtuar që nuk do të pranojnë “as lojërat e Kurtit e as të Vuçiqit”. Ndërkohë, ai është shprehur se nuk u janë bashkuar organizatat formale dhe se nuk e di se sa njerëz do të dalin në protestë, duke pasur parasysh, frikën që ekziston mes serbëve lokalë. RTK