Protesta në Mitrovicë u organizua nga shoqata e pensionistëve, të mbështetur nga përfaqësuesit politikë të serbëve etnikë. Që nga 1 shkurti, në Kosovë hyri në fuqi urdhëri i bankës qendrore për kryerjen e pagesave me para në dorë vetëm në monedhën zyrtare, euro dhe jo më në dinarë. Nën presionin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeveria në Prishtinë nuk e ka zbatuar ende këtë rregullore të re, por ka dhënë një periudhë tranzitore ende të papërcaktuar. Çështja mund të rrisë edhe më tej tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë në rritje prej muajsh.
Autoritetet në Prishtinë thanë se rreth 90 000 serbë etnikë në Kosovë marrin pensione, paga dhe përfitime sociale nga Serbia dhe paguhen me dinarë. Serbia gjithashtu financon shkollat dhe objektet e kujdesit shëndetësor në veri të Kosovës. Kosova, aktualisht nuk po penalizon pagesat e dinarit, por transferimi i parave nga Serbia është monitoruar më nga afër që nga 1 shkurti. Qeveria në Prishtinë ka deklaruar se nuk dëshiron të ndalojë pagesat nga Serbia. “Përkundrazi, qëllimi është që ato të bëhen më transparente”, tha së fundmi zëvendëskryeministri kosovar, Besnik Bislimi.
Ai tha se më pak se 200 milionë euro (216 milionë dollarë) pensione, paga dhe përfitime sociale transferohen nga Serbia në Kosovë çdo vit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka vlerësuar këtë shumë në 800 milionë euro, duke bërë që Bislimi të thotë se është e paqartë se ku shkuan 600 milionë euro të mbetura