Indeksi i sentimentit të konsumatorëve ra në 58.6 në gusht, nga 61.7 në korrik. Ekonomistët kishin parashikuar një rritje të lehtë në 62.

“Së shumti kjo rënie lidhet me shqetësimet në rritje për inflacionin,” tha drejtoresha e sondazhit të konsumatorëve, Joanne Hsu. “Kushtet e blerjes për mallrat e qëndrueshme ranë me 14%, duke arritur nivelin më të ulët në një vit, për shkak të çmimeve të larta”.

Ajo shtoi se konsumatorët nuk presin më skenarin më të keq për ekonominë si në prill, kur u shpallën dhe më pas u pezulluan tarifat reciproke. Megjithatë, ata ende presin që si inflacioni ashtu edhe papunësia të përkeqësohen në të ardhmen.

Raporti tregoi se indeksi i kushteve aktuale ekonomike ra në 60,9 në gusht nga 68 në korrik, ndërsa indeksi i pritshmërive të konsumatorëve ra lehtë në 57,2 nga 57,7.

Sa i përket inflacionit, pritshmëritë për një vit përpara u rritën në 4,9% në gusht nga 4,5% në korrik, duke reflektuar rritje në grupet demografike dhe për të gjitha përkatësitë politike.

Pritshmëritë për inflacionin afatgjatë gjithashtu u rritën ndjeshëm në 3,9% në gusht nga 3,4% në korrik, pas tre muajve me rënie të njëpasnjëshme.