Sot filloi punimet edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Hapja solemne e këtij edicioni jubilar është bërë në Bibliotekën Universitare në Prishtinë. Në edicionin e 40-të të Seminarit, do të jenë mbi 100 pjesëmarrës nga e gjithë bota, ndërsa punimet e tij do të vazhdojnë deri më 26 gusht. Ishte paralajmëruar që në hapje të seminarit të merrte pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, por në mungesë të tij, fjalimin e tij e lexoi ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. “Gjuha dhe fjalët një nga një na vënë gjithmonë para një përgjegjësie të lartë. Madje, ndoshta jo vetëm të përgjegjësisë, por edhe te borxhit. Gjuha na ka dhënë aq shumë secilit prej nesh, por kjo dhënie në formë dhurate prej gjuhës dhe prej hartuesve të saj duhet të kthehet në marrëdhënie”, lexoi ministrja Nagavci, pjesë nga fjalimi i kryeministrit Kurti. “Pra, atë që e kemi marrë duhet ta japim. Raporti në mes të gjuhës dhe kombit nuk është veçse historik. Këto janë dy vetëdije që e ndihmojnë dijen dhe kureshtjen universale”. Sipas kryeministrit Kurti, nëpërmjet gjuhës jo vetëm është mësuar dashuria për kombin, por edhe për vet jetën, për vet gjuhen dhe njerëzoren. “Derisa gjuha ndërton dhe mirëmban raportet tona, shkrimtarët e studiuesit e mirëmbajnë gjuhën tonë”, ka lexuar fjalët e Kurtit ministrja Nagavci. Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, pjesëmarrës në seminar, tha se njohja e gjuhës dhe historisë shqiptare ka qenë një kënaqësi e madhe dhe e paharrueshme për të. ”Padyshim si një ambasador që punon këtu, njohja e gjuhës shqipe më ka mundësuar një depërtim shumë më të mirë në krahasim me kolegët e mi të cilët mbështeten tek përkthyesit”, tha Abbot. “Gjatë mësimit të gjuhës kam lexuar vepra të Ali Podrimjes dhe më pëlqejnë poezitë e tij që janë të veçanta për stilin që shkruan. Mësimi i gjuhës shqipe ka qenë një sfidë për mua meqenëse të folurit këtu është në gegërisht, ndërkaq që unë e kam mësuar gjuhen standarde”, tha ambasadori Abbot. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti tha se edicionit të 40-të i këtij seminari aktual ka rastisur të organizohet në vazhdimësi të shumë ngjarjeve akademike, kulturore e artistike të organizuara në Universitetin e Prishtinës, siç ishin festivali “Chopin Piano Fest Prishtina”, Universiteti Veror, Botërori i Universiteteve në Hendboll. “Seminari i Kulturës, Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në periudhën më të zymtë për vendin tonë jo vetëm që arriti ta ruajë interesin për gjuhën dhe kulturën tonë, por njëkohësisht shërbente edhe si lloj ure ndërlidhëse ndërmjet vendit tonë dhe qarqeve relevante ndërkombëtare”, tha rektori i UP-së. “Një vështrim i shkurtër i përmbajtjes së seminarit që nxjerr në pah disa prej referimeve dhe sesioneve shkencore lidhur me aspektin semantik gjuhësor, fjalëformimin, aspektin kros-linguistik, e veçoritë e tjera të gjuhës shqipe, tryeza të veçanta për studentët e doktoraturës, trajtimin e çështjeve të ndjeshme nga fusha e medieve pa anashkaluar edhe kurset tradicionale për studentë të rij të gjuhës shqipe, padyshim lë të kuptohet që pjesëmarrësit do të kenë çka të diskutojnë dhe trajtojnë gjatë seminarit”, tha ai. Zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti shprehu kënaqësinë që ndodhet mes albanologëve jo vetëm nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga vende të ndryshme të Evropës. “Seminari i Prishtinës tashmë ka një traditë sa të suksesshme aq edhe kuptimplote, jo vetëm për simbolikën që mbartë, e që duke u shprehur me fjalët e akademikut Rexhep Ismajli, do të thosha seminari është nxitje për identitetin shqiptar përtej të gjitha ndarjeve. Në të njëjtën kohë është edhe auditor i debateve dhe prurjeve më të rëndësishme albanologjike”, tha Dosti. Ndërsa drejtori i Seminarit të Gjuhës Shqipe, Shkumbin Munishi tha se edicioni i sivjetmë po mbahet në përputhje me traditën e krijuar gjatë dekadave. “Këtë vit numri i pjesëmarrësve të huajë në seminar do të kalojë numrin 100 dhe po të mos ishin kufizimet e natyrës logjistike, buxhetore e teknike, ky numër sigurisht që do të ishe më i madh. Pa dyshim një interesim kaq i madh për të marrë pjesë në seminar është tregues i qartë se seminari nuk e ka humbur aspak as rëndësinë, as cilësinë. Seminari vazhdon të jetë ngjarja kryesore në fushën e albanologjisë”, tha ai. Seminari është themeluar në vitin 1974 dhe organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë, ndërsa është organizim i përbashkët i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=614458
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
RELATED ARTICLES