Për të dytin vit radhazi, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një seleksionim me futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Seleksionimi do të zhvillohet në datat 18 dhe 19 maj 2024 në kompleksin “Hudson Sports Complex, Warwick NY” dhe do të jetë i fokusuar te lojtarët e vitlindjeve 2009-2010-2011, ndërsa është i hapur edhe për futbollistet vajza pa kufizime moshe.
Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF njofton sot se po po punon prej disa muajsh për mbledhjen e të dhënave dhe përpilimin e listave të futbollistëve dhe futbollisteve që duan të marrin pjesë, ndërsa në seleksionimin me futbollistët shqiptarë të talentuar, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada do të marrë pjesë edhe Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, i cili përveç përzgjedhjes së talenteve të rinj, do të shikojë nga afër edhe ecurinë e lojtarëve që spikatën në seleksionimin e vitit të kaluar të organizuar nga FSHF.
Gjithashtu, Departamenti i ekipeve Kombëtare ka në plan që të organizojë edhe një ndeshje miqësore më datë 19 maj me lojtarët e spikatur në seleksionimin e vitit të kaluar të vitlindjes 2007-2008. Me këtë rast u bëhet thirrje të gjithë të interesuarve që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj eksperience pasi afati i regjistrimit do të jetë i hapur deri në fundin e muajit prill.
Për të marrë pjesë në seleksionime, të interesuarit duhet të dërgojnë disa të dhëna nëpërmjet adresës së e-mail-it [email protected] ku të specifikojnë emrin, mbiemrin, datëlindjen, klubin ku aktivizohen, pozicionin e saktë në fushë, uebin zyrtar të klubit ku luajnë, pasaportën që zotërojnë dhe në të njëjtën kohë të dorëzojnë dhe një numër kontakti. Dita e fundit e aplikimit është data 30 prill.