Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, prezantoi të mërkurën projektbuxhetin e vitit 2024, ku prioritet janë sektori i Arsimit, Shëndetësisë, Turizmit dhe Mbrojtjes. Në fjalën e tij, përpara deputetëve të komisionit të ekonomisë, që u zhvillua online, Mete tha se këto katër sektorë do kenë mbështetje buxhetore të rëndësishme. “Në Arsim, shpenzimet buxhetore parashikohen të rriten në vlerë nominale dhe në raport me Produktin e Brendshëm prej mbi 3% përgjatë periudhës 2024-2026. Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në vitin 2024, në këtë sektor do të financohen me përparësi: Ofrimi i një shërbimi arsimor cilësor për nxënësit që ndjekin arsimin para universitar duke siguruar ndër të tjera: tekste shkollore falas, bursa apo kuota ushqimore për nxënës me nevoja të veçanta, si dhe transport për nxënës dhe mësues që mësojnë dhe punojnë larg vendbanimit të tyre; Rritja e fondeve grant për Institucionet e Arsimit të Lartë Publik duke mbështetur ngritjen e infrastrukturës universitare si dhe mbështetjen e studentëve që ndjekin degët në programet prioritare dhe studentëve ekselentë”, tha ai. “Sektori i Shëndetësisë, gjithashtu do të qëndrojë mbi 3% të PBB mesatarisht për periudhën 2024-2026, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, do të financohen me prioritet edhe: Financimi i shërbimeve shëndetësore parësore e spitalore; Rritja e kosto-efektivitetit të listës së barnave e pajisjeve të rimbursueshme ku për vitin 2024 parashikohet që për trajtimin me recetë rimbursimi të barnave do të përfitojnë rreth 400 mijë pacientë me kosto në total prej 12 miliardë lekë; Financimi i paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike e jopublike”, u shpreh Mete. “Në fushën e turizmit synohet diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë nëpërmjet: Sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare, ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë sezonit turistik duke e shtrirë këtë shërbim në të gjithë vijën bregdetare për vitin 2024; Zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit duke financuar evente të rëndësishme promovuese; Mbështetjen e projekteve të rëndësishme në transport, në vijën bregdetare, por edhe në ndërlidhjen rajonale”, tha Mete. “Për sektorin e Mbrojtjes për herë të parë arrihet objektivi i lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2024. Ky buxhet do të financojë me përparësi modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje ushtarake dhe vijimin e rritjes së nivelit të pagave për personelin ushtarak”, vijoi Mete. “Për të kaluar në elementët e tjerë të projektbuxhetit,Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2024, planifikohet në masën 2.5 miliardë lekë, për të përballuar emergjenca dhe ngjarje të paparashikuara me ndikim në buxhetet e ministrive dhe institucioneve qendrore. Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 2.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.3 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit dhe kursit të këmbimit”, tha Ministri i Financave. Mete shtoi ndër të tjera, se synohet ulja e borxhit publik nën nivelin 60%. “Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të PBB. Balanca primare, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, planifikohet 0.2%, në një përmirësim nga niveli neutral, që pritet në fund të vitit 2023. Sa më sipër, synojmë konsolidim fiskal, me një borxh publik që pritet të zbresë vitin e ardhshëm, nën nivelin 60%, për herë të parë që prej vitit 2011, çka na pozicion në grupin e vendeve me financa publike më të forta”, përfundoi Mete. Kreu i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi u shpreh i keqardhur që mbledhja u zhvillua online. “Do doja të ishte zhvilluar në kushte normale, por për shkak të situatës së krijuar nga disa deputetë u detyruam ta zhvillonim kështu prezantimin e pr/buxhetit 2024. Por do kemi kohë ta diskutojmë gjerësisht këtë projektbuxhet”, tha Shalsi, duke mbyllur dhe mbledhjen.