Çokollata e zezë përmban një substancë që është armik i plakjes. Quhet ‘’teobrominë’’ dhe mund të ndihmojë në ngadalësimin e saj, sipas një studimi të botuar në revistën Aging dhe të kryer nga King’s College London.
Megjithatë, paralajmërojnë studiuesit, të hash më shumë çokollatë të zezë nuk sjell automatikisht përfitime sepse ajo përmban gjithashtu sheqerna, yndyrna dhe përbërës të tjerë.
Rëndësia e këtij zbulimi qëndron në faktin se hap rrugë të reja për rolin që shumë substanca që gjenden në ushqimet e zakonshme mund të luajnë në shëndet.
Duke krahasuar nivelet e teobrominës në gjak me shënuesit biologjikë të moshës – sinjale që tregojnë moshën e dukshme të trupit bazuar në gjendjen e tij shëndetësore krahasuar me vitet e jetuara – doli në pah se nivele më të larta të teobrominës që qarkullojnë në gjak korrespondojnë me një moshë biologjike më të ulët se një moshë kronologjike.
I kryer në dy grupe evropianësh, përkatësisht 509 dhe 1 160 persona, studimi identifikoi “një lidhje midis një përbërësi kyç të çokollatës së zezë dhe aftësisë për të qëndruar më gjatë i ri”, tha Jordana Bell, autore kryesore e studimit dhe profesoreshë e Epigjenomikës në King’s College London.
“Ndërsa nuk po themi që njerëzit duhet të hanë më shumë çokollatë të zezë studimi mund të na ndihmojë të kuptojmë se si ushqimet e përditshme mund të përmbajnë të dhëna për një jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë”, shton ajo.
Për të vlerësuar moshën biologjike, studiuesit shqyrtuan si ndryshimet kimike në ADN ashtu edhe gjatësinë e telomereve, struktura mbrojtëse që gjenden në skajet e kromozomeve që shkurtohen progresivisht me kalimin e kohës.
Kjo zbuloi një lidhje midis teobrominës dhe moshës së reduktuar biologjike.
E njohur si helmuese për qentë, teobromina është shoqëruar më parë me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës.
Vetëm tani po bëhet i qartë roli që duket se luan në ngadalësimin e plakjes.
“Ky është një zbulim emocionues”, vërejti gjenetisti Ramy Saad i cili tha se ‘’ndjekja e kësaj linje mund të çojë në zbulime të rëndësishme rreth plakjes”.





