Në konferencën për mediet, Guvernatori vuri në dukje se, “zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur nga rritja e konsumit, investimeve, rritja e eksportit të shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ka vijuar të qëndrojë në pozita konsoliduese”.
Sipas tij, kjo ecuri është pasqyruar në zgjerimin e sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që dinamikat e sektorit të industrisë dhe të bujqësisë janë më të dobëta.
Sejko vuri në dukje se rritja e ekonomisë është shoqëruar me rritjen e punësimit, rënien e normës së papunësisë dhe vijimin e rritjes së pagave në sektorin privat.
“Sipas të dhënave të INSTAT, punësimi në tremujorin e katërt shënoi një rritje vjetore prej 1,8%, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9,5%. Në të njëjtën kohë, norma mesatare e papunësisë gjatë vitit 2024 zbriti në 8,5%, kundrejt nivelit 9,5% të shënuar gjatë vitit 2023”, tha Guvernatori.
Ai theksoi se, rritja e punësimit dhe e pagave ndihmon zgjerimin e të ardhurave familjare, por ajo tenton gjithashtu të transmetohet në rritje të kostove të punës dhe të çmimeve të konsumit.