Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Sipas skenarit bazë, ky rikthim do të vijë si rezultat i një rritjeje graduale të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme pritet të mbeten të qëndrueshme.

Në lidhje me rreziqet e mundshme për ecurinë e inflacionit, Guvernatori theksoi se balanca e tyre mbetet neutrale në afatin e mesëm. Nga njëra anë, rritja e tensioneve gjeopolitike apo fragmentarizimi i mëtejshëm i tregtisë globale mund ta çojnë inflacionin përtej parashikimeve. Nga ana tjetër, ngadalësimi i ekonomive partnere ose rënia më e thellë e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare mund të ushtronte presione në drejtim të uljes së inflacionit.

Guvernatori deklaroi se inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme.