Qindra oficerë do të shkarkohen, pezullohen ose vendosen në detyra të kufizuara në spastrimin më të madh të brendshëm të nisur nga Policia Metropolitane e Londrës në 50 vjet, deklaroi Sir Mark Rowley, shefi i ”Scotland Yard”, pas skandaleve në lidhje me personelin e më të rëndësishëm në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një raporti të fundit policia britanike u përkufizua si “raciste institucionale, seksiste dhe homofobike”. Duke folur në mikrofonat e transmetuesit publik britanik, ai njoftoi vendimin për të devijuar dhjetëra agjentë veteranë nga lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar në seksionin e brendshëm disiplinor për të hequr ”kancerin” nga trupi. Nga hetimi i gjerë disiplinor i nisur brenda ”Scotland Yard”, tashmë kanë dalë 161 oficerë në detyrë, të cilët kishin kryer krime që përfshinin abuzim seksual, drogë dhe dhunë. Ndërkohë, një sondazh i kryer nga YouGov ka vlerësuar humbjen serioze të besimit të londinezëve tek forcat e policisë, pasi 42% e të intervistuarve thanë se “nuk i besojnë totalisht”, ndërkohë që te gratë kjo përqindje arrin në 50.