Kancelari gjerman Olaf Scholz hodhi sërish poshtë frikën se vendosja e planifikuar e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në Gjermani mund të çojë në një përshkallëzim me Rusinë. ”Armët synojnë një parandalim”, tha Scholz pas një takimi me kryeministrin japonez Fumio Kishida në Berlin. “Ajo për të cilën ne shqetësohemi gjithmonë është parandalimi i një lufte”, tha Scholz. Në fillim të kësaj jave, Gjermania dhe SHBA njoftuan një marrëveshje për stacionimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin e Gjermanisë duke filluar nga viti 2026, hera e parë që armë të tilla vendosen në Gjermani që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Armët amerikane do të përfshijnë raketat balistike ”Tomahawk” me një rreze veprimi deri në 2500 kilometra të afta për të goditur thellë në Rusi, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore ”SM-6” dhe armë hipersonike të zhvilluara rishtazi. Kancelari u zotua përsëri se Gjermania do të kontrollonte dërgesat e saj të armëve në Ukrainë në mënyrë të tillë që ato të mos çonin në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë. “Është po aq e qartë se vendimet që marrim këtu kanë gjithmonë në mendje sigurinë e vendit tonë dhe të aleancës. Dhe kjo përfshin sigurimin që ne të jemi mjaft të fortë”, tha Scholz. “Kjo përfshin mbrojtjen ajrore dhe mundësinë e parandalimit, natyrisht”, theksoi ai. Zyrtarët rusë kanë reaguar ashpër ndaj njoftimit, duke akuzuar Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara për nxitje të tensioneve dhe shtyrje drejt një gare armësh. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov foli për një “lidhje zinxhir në kursin e përshkallëzimit” të NATO-s dhe SHBA-së drejt Rusisë, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov pohoi se vendi i tij dhe NATO “janë në rrugën e duhur drejt një Lufte të Ftohtë”.
Scholz: Raketat amerikane në Gjermani në ndihmë të parandalimit të një lufte
RELATED ARTICLES