Kancelari gjerman, Olaf Scholz zhvilloi sot një takim me Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare, në Gjirin Persik. Mohammedi është fajësuar nga shërbimet sekrete amerikane se ka urdhëruar vrasjen brutale të gazetarit Jamal Khashoggi katër vjet më parë. Princi i kurorës ka hedhur poshtë akuzat për autorizimin e krimit. Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi, bëri që Princi i Kurorës të izolohej gjerësisht ndërkombëtarisht, duke përfshirë edhe Gjermaninë. Së fundmi, ai zhvilloi një takim me presidentin amerikan, Joe Biden në Jeddah, si dhe një vizitë në Bashkimin Evropian në korrik, gjatë të cilit u takua edhe me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, duke nisur kështu normalizimin e marrëdhënieve të tij me liderët perëndimorë. Vizita e Scholz në Gjirin Persik është konsideruar nga vëzhguesit si pjesë e këtij procesi. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit tha se krimi me siguri do të luante një rol kyç në bisedimet e Scholz me liderin saudit. Scholz gjithashtu do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar. Sipas burimeve qeveritare, gjatë vizitës në Gadishullin Arabik, Scholz do të fokusohet kryesisht në diskutimin e mënyrave për të dalë nga kriza energjetike e Gjermanisë, por do të trajtojë gjithashtu situatën e të drejtave të njeriut dhe çështjet e sigurisë. Mbetet e paqartë nëse gjatë vizitës do të arrihen marrëveshje për importin e gazit në terma afatgjatë, ose të hidrogjenit nga rajoni në Gjermani. Sipas informacionit të dhënë nga Ministria e Ekonomisë, qeveria e Scholz nuk ka miratuar asnjë eksport armësh në Arabinë Saudite që kur erdhi në pushtet në dhjetor. Para ndryshimit të qeverisë, në vitin 2021 ishin lëshuan 30 licensa eksporti me vlerë 2.52 milionë euro (2.44 milionë dollarë), pavarësisht një urdhër ndalimi të gjerë të eksportit për mbretërinë.https://ata.gov.al/2022/09/24/arabi-saudite-scholz-mohammed-bin-salman-diskutojne-krizen-energjetike/