Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 10 000 fëmijë janë vrarë nga sulmet me avionë dhe nga operacionet tokësore izraelite në Gaza në pothuajse 100 ditë konflikt, me mijëra të tjerë me sa duket të zhdukur nën rrënoja, njoftoi sot ”Save the Children”, sipas të cilit 1% e popullsisë së përgjithshme të fëmijëve të enklavës është vrarë që nga 7 tetori. ”Dhe fëmijët që i mbijetuan dhunës po durojnë tmerre të papërshkrueshme, përfshirë plagosje, djegie, sëmundje, kujdes i pamjaftueshëm mjekësor dhe humbje të prindërve dhe të njerëzve të tjerë të dashur”, shtoi ajo. ”Fëmijët në Gaza kanë qenë të detyruar të ikin nga dhuna, shpesh në mënyrë të përsëritur, pa një vend të sigurt për të shkuar dhe për t’u përballur me terrorin e një të ardhmeje të pasigurt”, shkruan organizata në një deklaratë. ”Mbi 40% e njerëzve të vrarë në Gaza që nga fillimi të sulmit kundër Izraelit dhe përshkallëzimit të dhunës në Territoret Palestineze të pushtuara më 7 tetor janë fëmijë”, thotë ”Save the Children”. ”Për çdo ditë të kaluar pa armëpushim, mesatarisht vriten 100 fëmijë”, tha Jason Lee, drejtor i ”Save the Children” për Territoret e pushtuara Palestineze. ”Nuk mund të ketë kurrë justifikim për vrasjen e fëmijëve. Situata në Gaza është monstruoze dhe përfaqëson një murtajë… Dhe megjithë numrin rekord të fëmijëve të vrarë dhe të gjymtuar, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të dështojë të veprojë”, theksoi ai