Parku Kombëtar i Dajtit është i njohur për shumëllojshmërinë e fluturave që jetojnë në habitatet e tij. Saturnia pyri, ose e njohur ndryshe edhe si “mola gjigante e palloit”, “mola gjigante e perandorit” ose “perandori vjenez”, është njëra prej tyre, e cila vjen e dokumentuar në park nga specialistët. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e ka fotografuar këtë flutur të rrallë në Parkun Kombëtar të Dajtit. Ajo ka një gjerësi krahësh që arrin në 15-20 cm dhe mbijeton në pyje e në shkurre të hapura.
Larvat shumëngjyrëshe ushqehen me disa lloje pemësh dhe shkurresh drunore, gjetherënëse. Saturnia pyri është një specie e Evropës Jugore. Ajo gjendet në rajonet më të ngrohta të Evropës: nga Portugalia dhe Afrika e Veriut, Franca Jugore, përmes Alpeve (Austri dhe Zvicër) në Ballkan, Itali dhe Ukrainë. Gjendet nëpër malet e Kaukazit, Gjeorgjisë, Azerbajxhanit deri në Turqi, Irakun verior, Siri, malet e veriut të Iranit, Liban, Izrael dhe malet Alborz dhe Zagros të Iranit. Popullsitë e Saturnia pyri janë të pranishme edhe në ishujt mesdhetarë të Korsikës dhe Sardenjës.