Kreu i Shoqatës së Turizmit, Arben Cipa thotë se për të plotësuar boshllëkun e 2024 këtë vit janë kryer përmes agjencive turistike dhe operatorëve hotelierë të Sarandës dhe Ksamilit aplikime për punonjës nga jashtë Shqipërisë.

“Janë rreth 800 emigrantë që kanë bërë aplikimi nëpërmjet agjencive turistike për t’i angazhuar në punët tona sezonale. Janë nga Nepali, India dhe Afrika”, tha ai.

Sjellja dhe punësimi sezonal i emigrantëve të huaj nuk do të thotë mënjanim i vendasve, por plotësim i numrit të pamjaftueshëm të tyre për një sezon që pritet të jetë më intensiv.

“Nuk po themi se nuk angazhojmë vendasit, por numri nuk është i mjaftueshëm. Nga ana tjetër edhe vendasi duhet të shohë që fillon konkurrenca edhe në fushën e tyre, konkurrencë dhe ofertë”, u shpreh Çipa.

Punësimi i kaq shumë shtetasve të huaj këtë vit në shërbimet turistike të Sarandës dhe Ksamilit, pritet të nisë prej muajit maj. Kjo vlerësohet si një ndër risitë e këtij sezoni në fushën e burimeve njerëzore.