Autoritetet ruse planifikojnë të ndryshojnë Kodin Penal, për të futur ndëshkimin për “rusofobinë”, e përcaktuar si diskriminim kundër qytetarëve rusë dhe banorëve të Federatës Ruse nga të huajt dhe zyrtarët e huaj jashtë vendit ose thirrje për veprime të tilla.

Agjencia e lajmeve Interfax raportoi më 23 shtator se ka siguruar dokumentin qeveritar që miraton një projektligj të hartuar nga një grup ligjvënësit, sipas të cilit, gjykimet e individëve të akuzuar për rusofobi do të mbahen në mungesë.

Kabineti qeverisës ka miratuar projektligjin, por tha se ndëshkimi për personat e dënuar për rusofobi duhet të rishikohet.

Në projektligj thuhet se ndëshkimi për rusofobi duhet të jetë “ndalimi i individëve nga drejtimi i posteve të caktuara dhe ndalimi që të kryejnë aktivitete të caktuara në Rusi”.

Megjithatë, Qeveria ruse tha se ky ndëshkim nuk ka kuptim, pasi do të prekte individët që jetojnë jashtë Rusisë.

Neni i ri në Kodin Penal për rusofobinë do të ketë për shënjestër vetëm rastet e rusofobisë jashtë vendit. Në dokument nuk specifikohet se çfarë nënkupton diskriminimi i qytetarëve rusë dhe banorëve të Federatës Ruse.

Në vitet e fundit, veçmas pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, autoritetet ruse kanë akuzuar zyrtarët perëndimorë për atë që ata e quajnë rusofobi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, publikisht ka përmendur “anulimin e kulturës ruse” në Perëndim.

Dis autoritete ruse, përfshirë Ministrinë e Jashtme, i kanë quajtur sanksionet perëndimore – të vendosura ndaj zyrtarëve dhe entiteteve ruse për shkak të luftës kundër Ukrainës – si “shprehje të rusofobisë”.

Termi rusofobi për herë të parë u përdor në shekullin e 19-të nga poeti dhe diplomati rus, Fyodor Tyutchev. Ai e përdori këtë term për të përshkruar rusët liberalë properëndimorë.

Timothy Snyder, profesor në Universitetin Yale, gjatë paraqitjes së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mars të vitit 2023, e përshkroi rusofobinë si mjet që përdoret nga Rusia moderne për të justifikuar krimet që pretendohet se janë kryer nga forcat e saj të armatosura në Ukrainë, shkruan REL.