Në përgjigje të kërcënimeve ndaj ekosistemeve ujore dhe tokësore të rajonit të Prespës, Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim është zotuar të mbështesë vazhdimisht qeverinë shqiptare në ruajtjen e vlerave natyrore dhe kulturore me projektin e Rezervës Ndërkufitare të Biosferës Prespa, faza II.
Në vitin 2018, u nënshkrua një marrëveshje granti me Shqipërinë, për të mbështetur Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, e cila është subjekti përgjegjës për menaxhimin e parqeve kombëtare, përfshirë Parkun Kombëtar të Prespës.
Faza II e Projektit të Rezervës Ndërkufitare të Biosferës Prespa u ndërtua mbi sukseset e fazës së parë dhe është përqendruar në uljen e presionit mbi burimet natyrore, duke kontribuar njëkohësisht në uljen e varfërisë në pjesën Shqiptare të Rezervës Ndërkufitare të Biosferës Ohër-Prespë.
Përmes iniciativave të ndryshme, projekti ka ruajtur biodiversitetin, ka rritur qëndrueshmërinë e ekosistemit dhe ka përmirësuar kushtet e jetesës për popullatat lokale në Parkun Kombëtar të Prespës dhe pjesën shqiptare të Rezervës së Biosferës.
Arritjet kryesore të këtij projekti përfshijnë forcimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura, praktikat e qëndrueshme të udhëhequra nga komuniteti dhe një sërë masash që kanë mbështetur hotspotet e biodiversitetit dhe kanë zvogëluar kërcënimet mjedisore.
Parku Kombëtar i Prespës është një nga parqet natyrorë më të mëdhenj të Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 27.500 ha. Ky park është një kombinim i veçantë i shkëmbinjve të lartë, fushave të gjelbra e ujërave të kaltër të liqeneve të Prespës. Ai strehon një gamë të gjerë të faunës dhe florës, duke shërbyer si shtëpi për mbi 1500 lloje bimësh, 261 lloje zogjsh, 21 lloje peshqish dhe shumë specie të tjera që e bëjnë këtë zonë një parajsë natyrore.
Ky park është një vend i rëndësishëm për ekoturizmin. Përveçse ofron një eksperiencë të jashtëzakonshme natyrore, ai gjithashtu ndihmon në konservimin e biodiversitetit të kësaj zone të rrallë.





