Rrok Academy zhvillon këtë vit një kurs dyjavor për multimedian. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se ky kurs vjen në ditët e Shkodra Jazz Festival. Festivali vjetor i xhazit në Shkodër është një përpjekje për të shtuar një kolonë zanore të re në jetën kulturore të këtij qyteti në veri të Shqipërisë. Margariti theksoi se, në këtë kurs dyjavor studentëve i jepet mundësia të studiojnë teorikisht dhe praktikisht imazhin në të gjitha dimensionet e tij. “Këtë vit, në ditët e Shkodra Jazz Festival, Rrok Academy vjen me një masterclass që i përket një prej degëve më kontemporane të së bukurës: multimedias. Në këtë kurs dyjavor studentëve po i jepet mundësia të studiojnë teorikisht dhe praktikisht imazhin në të gjitha dimensionet e tij: duke nisur nga piktura dhe duke ardhur në ditët e sotme me fotografinë e video artin”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale. Rrok Academy lindi në vitin 2017 në një projekt të Optional Music International dhe Shoqatës Kulturore Rrok Jakaj me synimin për të krijuar një ofertë të nivelit të lartë trajnimi instrumental dhe për të shoqëruar profesionet artistiko-muzikore në botën e punës.