Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në një njoftim për shtyp thekson se rreth 1100 studentë janë regjistruar në vitin e parë për studimet bachelor. Ndërkohë që maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të regjistrimeve kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin në degët e shpallura fituese.
“Deri më tani Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ka shënuar rritje në numrin total të regjistrimeve. Rritjen më të madhe, për vitin akademik 2024-2025, e ka pasur Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave të Edukimit. Ndërkohë që vihet në dukje një interes në rritje për programet e studimit si biznes, financë, ekonomia e drejta si dhe mësuesia për arsimin parashkollor”, theksohet në njoftim.
Ndërkohë që programet e studimit për të cilat kanë interesin më të lartë dhe që shënojnë një numër të lartë regjistrimesh në nivel institucioni, janë ato të shkencave mjekësore teknike, teknologjitë e informacionit, edukim fizik dhe sporte si dhe disa programe me karakter profesional. Për dy programe prioritare të mësuesisë, biologji-kimi dhe matematikë-fizikë, për një numër studentësh, jepen bursa të financuara nga qeveria shqiptare.
Një risi tjetër e rëndësishme për këtë vit akademik është edhe regjistrimi i studentëve nga Presheva në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.
Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ndërveprimit ndërkombëtar dhe krijimit të mundësive të reja për studentët nga rajone të ndryshme, duke forcuar rolin e universitetit si një qendër edukimi për të gjithë shqiptarët.
Sa i përket ndërkombëtarizimit, në njoftim theksohet se “mbetet një nga prioritetet kryesore të këtij viti akademik, me zgjerim të bashkëpunimeve me institucione prestigjioze evropiane në të gjitha fushat, duke përfshirë mobilitetin e personelit akademik dhe studentëve, programet e përbashkëta dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta’.
Gjatë këtij viti ky universitet pritet të fillojë zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në kuadër të programeve Erasmus+ dhe Jean Monnet, si dhe të arrijë sukses në aplikimet për programe të tilla si Horizon Europe, IPA Interreg dhe COST. Këto projekte i shërbejnë personelit akademik dhe studentëve për ngritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës universitare.