Sipas të dhënave zyrtare, primet totale të sigurimit të detyrueshëm motorik arritën në rreth 12.474 milionë lekë, me një rritje prej 12,96% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Rritja më e fortë është shënuar tek produkti “MTPL e brendshme”, ku primet e shkruara bruto u rritën me 13,92%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 7,41%.
Ky zhvillim pasqyron një zgjerim të mbulimit të sigurimeve brenda territorit të vendit dhe një ndërgjegjësim më të lartë të drejtuesve të mjeteve për detyrimin ligjor të sigurimit.
Edhe produkti “Karton jeshil”, që mbulon përgjegjësitë për automjetet që qarkullojnë jashtë Shqipërisë, ka vijuar rritjen me 11,07% në vëllimin e primeve, ndërsa numri i kontratave është rritur me 2,51%, çka tregon një dinamikë pozitive në lëvizjen ndërkufitare të automjeteve shqiptare.
Ndryshe nga këto dy produkte, sigurimi kufitar ka shënuar një ulje të lehtë prej 1,58% në vëllimin e primeve të shkruara bruto dhe një rënie prej 1,90% në numrin e kontratave, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo tendencë lidhet kryesisht me rënien e fluksit hyrës të automjeteve të huaja të pasiguruara që hyjnë përkohësisht në territorin shqiptar.





