Sipas të dhënave paraprake, primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 8,4 miliardë lekë, me një rritje prej 6,79% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i kontratave u rrit në të njëjtën linjë, me 6,58%, çka tregon se rritja nuk është vetëm në vlerë monetare, por edhe në zgjerim të bazës së klientëve.
Rritje ka pësuar edhe segmenti i sigurimeve vullnetare të Jo-Jetës, me një ecuri pozitive prej 4,97%, çka reflekton rritjen e kërkesës për mbrojtje ndaj riskut të pronës, përgjegjësive dhe forcave të natyrës.
Portofolat e “Pronës, përgjegjësive dhe garancive” siguruan mbi 3,58 miliardë lekë gjatë periudhës, duke mbajtur peshën kryesore në tregun e Jo-Jetës. Brenda këtij grupi, sigurimi nga “Zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë” zuri vendin kryesor me 67,07% të të ardhurave totale, i ndjekur nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme, me 23,25%. Ky dominim tregon se bizneset po i kushtojnë më shumë vëmendje menaxhimit të riskut dhe mbrojtjes së aseteve.
Ndërkohë, portofoli i “Zjarrit dhe forcave të natyrës” regjistroi një rritje të qëndrueshme, si në vëllimin e primeve të shkruara bruto me 4,53%, ashtu edhe në numrin e kontratave, me një rritje të fortë prej 9,92%. Ky rezultat lidhet edhe me ndërgjegjësimin në rritje për pasojat e fenomeneve klimatike.





