Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën në 17,9 miliardë lekë, me një rritje prej 9,53% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ndërkohë, numri i kontratave të sigurimit të lidhura gjatë 8-mujorit arriti në 1,116,204, duke shënuar një rritje prej 6,12% në raport me një vit më parë.
Tregu vijon të mbetet i orientuar kryesisht drejt sigurimeve të Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 91,57% të totalit të primeve.
Sigurimet e Jetës përfaqësojnë 8,40%, ndërsa risigurimi ka një pjesë shumë të vogël prej vetëm 0,026%.
Nga pikëpamja e ndarjes së tregut sipas natyrës së kontratave, sigurimet e detyrueshme përbëjnë 61,84% të tregut, ndërsa sigurimet vullnetare zënë 38,16%.
Sa i përket kompensimeve, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve gjatë janar–gusht 2025 arritën në rreth 5,468 milionë lekë, duke shënuar një ulje me 2,27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Megjithatë, në kategorinë e sigurimit motorik, dëmet e paguara bruto u rritën me 2,59%, duke arritur në 4,195 milionë lekë, çka tregon për një dinamikë më të lartë të këtij segmenti krahasuar me të tjerët