Eksportet shqiptare drejt Spanjës kanë njohur një rritje të ndjeshme gjatë katërmujorit të parë të vitit 2025, duke përfaqësuar 4,6% të vëllimit total të eksporteve të vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, kjo është një nga ritmet më të larta të rritjes ndër partnerët tregtarë të Shqipërisë për këtë vit.

Kontributin kryesor në këtë zgjerim e kanë dhënë eksportet e mineraleve dhe artikujve prej metali, si hekuri, çeliku dhe nënproduktet e tyre, të cilat po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të tregtisë dypalëshe.

Në vlerë, eksportet drejt Spanjës arritën në 6,2 miliardë lekë në katërmujorin e parë të 2025-ës, krahasuar me 4,4 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, rritje shënuan edhe importet nga Spanja, të cilat kapën vlerën e 4,4 miliardë lekëve, nga 4,2 miliardë lekë në vitin 2024.

Spanja po konfirmohet si një treg i rëndësishëm dhe potencialisht strategjik për eksportet shqiptare, duke ofruar mundësi të reja për diversifikimin e partnerëve tregtarë dhe për zhvillimin e sektorëve prodhues, veçanërisht atij të industrisë së përpunimit të metaleve, ku vendi po demonstron një kapacitet në rritje për konkurrencë ndërkombëtare.