Bizneset lokale të turizmit në Alpet Shqiptare po përjetojnë një transformim pozitiv në cilësinë e mikpritjes, si rezultat i programit TUI Future Shapers Albania, një bashkëpunim midis Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, GIZ Shqipëri dhe TUI Care Foundation.

Ky program synon të fuqizojë komunitetet lokale dhe të rinjtë përmes zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, duke investuar në aftësimin e tyre profesional dhe ngritjen e standardeve të shërbimit.

Përmes trajnimeve të fokusuara në fusha kyçe si: Shërbimi në dhoma dhe recepsion, Ushqim dhe pije, Marketingu digjital, Rrëfimi i historive dhe përvoja autentike, pritësit lokalë po pajisen me njohuri dhe aftësi për të ofruar eksperienca më profesionale, të personalizuara dhe të paharrueshme për vizitorët vendas dhe të huaj.

“Turizmi i qëndrueshëm nuk ndërtohet vetëm mbi natyrën, por mbi njerëzit dhe kulturën. Ne po investojmë te komunitetet që mbajnë gjallë Alpet Shqiptare,” theksojnë përfaqësues nga GIZ Shqipëri dhe TUI Care Foundation.

Programi TUI Future Shapers kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit rural, duke ruajtur traditat lokale dhe përmirësuar cilësinë e shërbimit, në funksion të një ekonomie vendase më të fortë dhe të qëndrueshme.

TUI Future Shapers, një nga organizatat më të njohura ndërkombëtare në fushën e turizmit, me seli në Holandë, ka rreth 80 projekte në të gjithë botën dhe vjen në Shqipëri përmes partneritetit me Giz Albania.

Duke u bazuar në potencialin e turizmit si një forcë me kontribut në ekonomi TUI Future Shapers, mbështet dhe zbaton projekte që krijojnë mundësi të reja dhe kontribuojnë në mbështetjen e komuniteteve, në destinacionet turistike në të gjithë botën.

Turizmi malor pritet të marrë një hov zhvillimi në vendin tonë ndikuar edhe nga nisma më e fundit e qeverisë për “Paketën e Maleve” që mbështet investimet në zonat malore.