Vitet e fundit sektori i bujqësisë po hedh hapa para në rritje drejt formalizimit. Politikat e subvencionimit nga qeveria dhe programet e donatorëve, por edhe pagesat më të lira për kontributet shoqërore, kanë nxitur fermerët të futen në skemën e sigurimeve shoqërore. Sipas statistikave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në dy vitet e fundit është rritur numri i të siguruarve në bujqësi. Kështu në vitin 2021 janë mbledhur 2 089 milionë lekë nga sigurimet e të vetëpunësuarve në bujqësi, shifër kjo 3 % më e lartë se në vitin 2020. Të punësuarit apo të vetëpunësuarit në bujqësi janë futur në skemën e sigurimit shoqëror dhe paguajnë 2.6 deri në 3.4 herë më pak sigurime vjetore se një i siguruar në qytet. Për ekspertët e fushës, përfshirja e fermerëve në skemën e sigurimeve shoqërore do të thotë që në të ardhmen ata të përfitojnë nga masat e pensionit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se, në fund të vitit 2022, në total janë aktivizuar (formalizuar) 84 383 fermerë me NIPT-e. Qarqet me fluksin më të lartë të regjistrimit me NIPT-e janë Fieri, Korça, Elbasani, Berati dhe Vlora. Prej disa vitesh qeveria është kthyer në partnere të fermerit në vend. Pas reformës territoriale administrative dhe me krijimin e 61 bashkive të reja, që janë njësi administrative dhe ekonomike, qeveria i kushtoi rilindjes në fshat paketën më të madhe financiare. Investimet në vaditje dhe kullim rritën në 225 mijë ha tokat e vaditshme nga 130 mijë ha tokë që ishin në 2013. Por edhe hartimi i programeve të financimit për stimulimin e pikave të grumbullimit, frigoriferëve dhe linjave të përpunimit, kanë rritur prodhimin vendas dhe eksportet. Sipas MBZHR, krahasuar me një vit më parë eksportet bujqësore u rritën në sasi me 15.6 % gjatë vitit 2022 dhe në vlerë 18.1 % më shumë. Ndërkohë, mbështetja financiare për fermerët përmes Skemave Kombëtare gjatë vitit 2022 arriti në afro 5.1 miliardë lekë dhe tashmë po zbatohet Skema e Mbështetjes për 2023, për të cilën fermerët po tregojnë një interes të madh të aplikojnë dhe përfitojnë subvencione që ulin kostot e prodhimit për ta.atsh