Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) njofton se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e flotës aktive të mjeteve në Shqipëri, me 48,2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Sipas DPSHTRR, gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë regjistruar 47.459 mjete, nga të cilat 81,5% janë autovetura. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky numër përfaqëson një rritje prej 136.8%.
Sa i takon origjinës së mjeteve të regjistruara, kryeson Korea e Jugut me 20,5%, pasuar nga Italia me 16%, Gjermania me 15,5%, Zvicra me 8,8%, SHBA me 7,9% dhe Kina me 7,8%.
Gjithashtu, raporti evidenton se flota është rinovuar me 8862 mjete të gjeneratës së fundit (0-3 vite), duke shënuar një rritje prej 68% të regjistrimeve në krahasim me janar-qershorin e vitit 2023.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 3796 çregjistrime të përhershme, ose 18,3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
DPSHTRR u bën thirrje të gjithë drejtuesve të rinj dhe ekzistues të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të kryejnë kontrollet periodike të mjeteve dhe, përpara se të importojnë një mjet, të verifikojnë kategorinë mjedisore të tij.