Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës llogariten gjatë periudhës janar-nëntor 6,5 miliardë lekë, nga 4 miliardë lekë që ishin në 2023-shin.

Ndërkohë, rritje të ndjeshme kanë pasur edhe importet nga SHBA. Sipas të dhënave importet arritën në gati 18 miliardë lekë gjatë 11-mujorit të këtij viti, nga 15,9 miliardë lekë që ishin në 2023-shin.

Shqipëria eksporton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës një gamë të gjerë produktesh.

Produktet më të eksportuara në SHBA janë bimët aromatike e mjekësore përfshirë erëzat e vajrat esenciale, të cilat përfaqësojnë peshën kryesore të eksportit, mineralet dhe produkte të tjera me peshë më të vogël, përfshirë veshjet, dhe produktet ushqimore.

Rritja e eksporteve është favorizuar edhe nga heqja e taksës doganore. Që prej vitit 2012, Shqipëria ka hyrë në listën e 128 vendeve që mund të përfitojnë nga një sistem preferencial që eliminon taksën doganore për një listë të gjatë produktesh.