Rreth 165 mijë persona mbështeten në vit nga programi i aftësisë së kufizuar

0
2

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thekson mbështetjen ndaj kësaj kategorie në vendin tonë. Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu deklaron se janë rreth 165 mijë persona që mbështeten në vit nga programi i aftësisë së kufizuar. “Hartimi i politikave në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj kësaj kategorie si dhe integrimi i tyre me të drejta të barabarta në tregun e punës, prioritet i qeverisë dhe MSHMS”, nënvizon ministrja Koçiu. Edhe buxheti 2024 për MSHMS parashikon mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarëve të tyre, të cilët do të përfitojnë pagesa nga fondi prej 17.9 miliardë lekë. Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992, shpalli 3 Dhjetorin Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe aspektet e zhvillimit – jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë.