Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), ka publikuar “Parcelat Kadastrale” dhe “Ndërtesat Kadastrale” në Gjeoportalin Kombëtar.
Këto shtresa pasqyrojnë tashmë rreth 15% të hartës kadastrale digjitale me informacion të përmirësuar e përditësuar në të gjithë Republikën e Shqipërisë.
Kadastra njofton se, përveç përditësimit të hartave kadastrale ekzistuese, këto të dhëna përfshijnë edhe parcelat e pyjeve dhe kullotave në pronësi të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, duke përmirësuar saktësinë dhe aksesin në informacionin kadastral.
Të dhënat janë të disponueshme në Gjeoportalin Kombëtar të ASIG, duke ofruar një burim të besueshëm për institucionet publike dhe individët.
Kadastra njofton institucionet të përdorin këtë informacion për planifikimin dhe administrimin e territorit, ndërsa qytetarët kanë mundësinë të shikojnë dhe verifikojnë pronat e tyre në mënyrë të lehtë dhe transparente.