Bashkimi Europian duke nisur nga 1 prilli i këtij viti, unifikon procedurën doganore për mallrat që do të hyjnë në tregun e saj, për të gjitha mënyrat e transportit, përfshirë transportin rrugor dhe atë hekurudhor, krahas rregullave ekzistuese për transportin ajror, detar dhe atë ujor të brendshëm.
Sistemi i Kontrollit të Importit 2 (ICS2) të Bashkimit Europian është një sistem informacioni i avancuar i ngarkesave, i krijuar për të përmirësuar sigurinë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirin e furnizimit të përfshirë.
Sipas Komisionit Europian, të gjithë operatorët ekonomikë (OE) që sjellin mallra në BE ose kalojnë tranzit përmes BE-së, përfshirë edhe ata shqiptarë, duhet të deklarojnë të dhënat mbi sigurinë e mallrave në ICS2, përmes deklaratës përmbledhëse të hyrjes (ENS).
Bazuar në ENS, të gjitha mallrat i nënshtrohen analizës së rrezikut të sigurisë dhe sigurisë dhe kontrolleve më të shënjestruara.
ICS2 ndihmon për të identifikuar më mirë ngarkesat me rrezik të lartë dhe për të ndërhyrë në pikën më të përshtatshme në zinxhirin e furnizimit, duke lehtësuar rrjedhën legjitime të mallrave.
Operatorët ekonomikë të pajisur me numër EORI në vendet e BE, numër ky thelbësor për ndjekjen e mallrave gjatë tregtisë ndërkufitare, që nuk janë gati deri në këtë datë, duhet të kontaktojnë Zyrën e Shërbimit Kombëtar të shtetit anëtar të BE-së (Autoriteti Kombëtar Doganor) ku janë regjistruar dhe kanë marrë numrin e tyre EORI, për të kërkuar një afat kohor për implementimin e versionit të ri të sistemit (ICS2) deri më 1 mars 2025.
Mospërmbushja në kohë e kërkesave të sistemit ICS2 mund të sjellë si pasojë ndalimin e mallrave në kufijtë e BE-së dhe moszbatimin e formaliteteve doganore nga ana e autoriteteve doganore të BE.
Ky njoftim është i vlefshëm për të gjithë operatorët ekonomikë dhe transportuesit e regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe që kanë marrë një numër EORI/RIOE në një nga vendet anëtare të BE