Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEKOSOVARohde: Në Kosovë duhet të përdoren targat RKS

Rohde: Në Kosovë duhet të përdoren targat RKS

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, është deklaruar sot në lidhje me çështjen e targave ilegale të lëshuara nga Serbia, e për të cilat Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për regjistrim në mënyrë të shkallëzuar deri në prill të vitit të ardhshëm pas së cilës nuk do të ketë më përdorim të tyre. Në një postim në Twitter diplomati gjerman ka theksuar se Bashkimi Evropian ashtu edhe vendet e Quint-it, gjithmonë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat ilegale, pasi sipas tij, kjo është në përputhje edhe me marrëveshjen e Brukselit. Ai ka theksuar po ashtu se serbëve të Kosovës duhet t’u bëhet e qartë se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës. “Por do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në uljen e tensioneve. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës. Duhet më shumë sens i shëndoshë për çështjen e targave: Ne si BE dhe Quint kemi qenë gjithmonë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM etj. Kjo është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”. Diplomati gjerman thotë se përfaqësuesit kosovarë dhe ata serbë duhet të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në uljen e tensioneve dhe se këshillat e partnerëve ndërkombëtarë duhet të ndiqen. “Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm (në kërkesën) për një periudhë më të gjatë tranzicioni siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, për të zgjidhur edhe çështjet tjera të mbetura teknike në mënyrë pragmatike. Ne ende mendojmë se këshillat tona duhet të ndiqen”, përfundon ambasadori Rohde. Ndryshe, sot ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Republikës të Kosovës për targat ilegale, sipas të cilit serbët do të marrin vetëm vërejtje deri më 21 nëntor, si fazë e parë e konvertimit të targave në RKS, pas së cilës do të fillojë faza tjetër, ajo e gjobitjes 150 euro. Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara. Nga data 31 mars deri më datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë. Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.

https://ata.gov.al/2022/11/01/rohde-serbeve-tu-shpjegohet-se-ne-kosove-duhet-te-perdoren-targat-rks/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments