Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përfunduar më 2 korrik rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në të gjithë Shqipërinë, proces i cili zgjati 2 vite nga momenti që u hap dhe u shty disa herë për shkak të kërkesave të shumta të qytetarëve. Në një deklaratë për mediet, kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame dha sot detaje për procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme duke bërë të ditur se u përfshinë 168 200 pasuri dhe morën rivlerësimin 113 mijë familje. Procesi i rivlerësimit të pasurive u hap në shkurt 2020, u zgjat me ligjin 164/2020, u zgjat sërish me aktin normativ 35/2021 dhe u mbyll në fillim të muajit korrik. Për herë të parë ky proces është bërë në vitin 2011 dhe ndër vite ka pasur nivel të ndryshëm të taksës së rivlerësimit si në vitin 2011 dhe 2012 ishte 1%, në vitin 2013, 2016 dhe 2017 ishte me 2%, ndërsa në vitet 2020 dhe 2022 taksa e rivlerësimit ishte me 3%. Lame theksoi se procesi i kryer gjatë këtij viti mban rekordin për numrin e qytetarëve që u përfshinë në të. Konkretisht janë përfshirë 168 200 pasuri dhe morën rivlerësimin 113 mijë familje. Kreu i Kadastrës tha se rekordin e ka Tirana me 47 293 rivlerësime të kryera dhe në vend të fundit Hasi me 35 rivlerësime Lame nënvizoi se nga ky proces, të ardhura në buxhetin e shtetit arritën në 12,7 miliard lekë (rreth 110 milion USD). Duke e krahasuar procesin e Rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ndër vite, Kreu i Kadastrës sqaroi se në vitet 2012 dhe 2012 ishin 70.590 shërbime për rivlerësim me 2.99 miliardë lekë në buxhet, në 2013 – 25.091 shërbime për rivlerësim dhe 0.99 miliard lekë, në 2016 dhe 2017-ën ishin 60.264 shërbime dhe 5.41 miliardë lekë. Ndërsa në dy vitet e fundit 2020 dhe 2022 janë 113.800 shërbime për rivlerësim me 12.68 miliard lekë në buxhetin e shtetit. Sipas tij, përmbyllja e këtij procesi, do të sjellë edhe lehtësim në ngarkesën e shërbimeve që jepen nga ASHK, pasi ky proces përbënte rreth 10% te shërbimeve të ofruara për qytetarët. “Procesi shërbeu edhe si shkollë për vetë qytetarët në procesin e përdorimit të portalit qeveritar e-albania, pasi rezulton që 44% e qytetarëve e kanë kryer aplikimin vetë (pa ndërmjetës, noterë apo sportelet e ADISA-s). Pavarësisht mbylljes me sukses të kësaj fushate, i kërkojmë ndjesë atyre qytetarëve të cilëve nuk ju shërbye dot në kohë, patën vonesa apo ju kryen përllogaritje të gabuara që u ndreqën gjatë rikontaktimit. Në fund të procesit mbetën edhe 398 raste, të cilëve nuk u bë e mundur t’ju kryhej procesi i rivlerësimit. Kryesisht këto janë raste që kanë aplikuar në ditët e fundit të lejuara dhe nuk u bë e mundur përllogaritja e shumës dhe më pas pagesa përkatëse”, deklaroi Lame. Ai solli në kujtesë edhe edhe sulmin kibernetik rreth mesit të muajit korrik që bllokuan apo shqetësuan disa nga sistemet operative të shtetit. “Nëse bëjmë një krahasim me procesin e mëparshëm të rivlerësimit (2018), aso kohe mbetën pa iu përfunduar shërbimi nga ish-ZRPP rreth 4442 kërkesa. Ulja ndjeshëm e numrit të pasurive që nuk iu përfundua shërbimi, vjen si rezultat i zgjatjes së afatit të kryerjes së pagesës nga ana e qytetarëve”, nënvizoi Lame. Duke u ndalur te përfitimet e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, kreu i Kadastrës theksoi se janë si sociale ashtu dhe ekonomike. Gjithashtu, përfitimet janë si për qytetarin ashtu edhe për vetë shtetin. “Nëpërmjet procesit të rivlerësimit, rritet vlera e pronës së qytetarit, sipas çmimit minimal fiskal të vendosur nga shteti ose sipas çmimit të tregut. Shitja e një prone i kushton më lirë xhepit të qytetarit, duke i sjellë kështu një përfitim ekonomik të konsiderueshëm (paguan vetëm 3% tatimin mbi të ardhurën nga shitja nga 15%, një diferencë jo e vogël kjo). Në rastin e marrjes së kredive në bankë apo vendosjes si kolateral, rritja e vlerës së pronës, rrit dhe vlerën vlerësimit dhe përfitimit nga banka. Procesi i rivlerësimit, është një rregullator i tregut informal të shitjes së pasurive të paluajtshme. Nxit formalizimin dhe shmangien e evazionit fiskal me transaksionet e pasurive të paluajtshme.Është një investim shumë pozitiv në politikat sociale të shtetit, që nxit kështu interesimin dhe përfshirjen më shumë të qytetarëve në procesin e shitblerjes së pasurive të paluajtshme, si një motor i rëndësishëm zhvillimi i ekonomisë shqiptare. Të gjitha proceset e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ndër vite, kanë dëshmuar se interesi i qytetarëve ka qenë në rritje”, sqaroi Lame. Gjithahstu ai tha se nga ky proces “rritet numri i pasurive të paluajtshme të përfshira në tregun e shitjes, i cili në një farë mënyre është frenuar nga taksa prej 15%, pavarësisht kategorisë, vitit të ndërtimit apo gjendjes së amortizimit, pronat bëhen të tregtueshme, konkurruese si dhe një alternativë e mirë në treg, për transaksionet e ardhme. Nxiten investimet në pasuritë e paluajtshme, duke zhvilluar titujt e pronësisë si dhe të drejtën e kujtdo për të zotëruar një pasuri të paluajtshme. Injektohen më shumë të ardhura në arkën e shtetit”. Përveçse për qytetarin, nënvizoi Lame përfitimet janë edhe për shtetin, i cili pavarësisht se humbet në arkën e tij nga fitimi i aplikimit të tatimit prej 15%, por fiton nëpërmjet riaktivizimit dhe rritjes së numrit të pasurive që përfshihen në treg, si rrjedhim i uljes ndjeshëm të tatimit në 3% (në krahasim me mosshitjen apo stanjacionin). Në përfundim Lame deklaroi se “çlirimi me sukses nga ky fron i punës sonë, do ta përqëndrojë Kadastrën Shqiptare tërësisht në tre gjërat që mbeten në fokusin tonë, vijimi i procesit të dixhitalizimit të arkivave tona; përmirësimi i materialit hartografik të Republikës si dhe përmirësimi cilësor i shërbimeve ndaj qytetarëve”.https://ata.gov.al/2022/08/27/rivleresimi-i-pasurive-lame-perfituan-113-mije-familje/