Nga ajri që thithim e deri tek drunjtë që përdorim, pyjet janë thelbësore për jetën tonë. Ato përfaqësojnë një habitat për më shumë se gjysmën e llojeve tokësore të botës, kurse globalisht më shumë se një miliard njerëz jetojnë në pyje dhe rreth tyre. Pas oqeanit, pyjet janë rezervati më i madh e karbonit. Pavarësisht nga të gjitha shërbimet që ato na ofrojnë, ne po i shkatërrojmë pyjet me një shpejtësi alarmante.
Ndikimet e faktorit njeri kanë shkaktuar tashmë humbjen e rreth 40% të pyjeve në botë dhe kërkesa globale për produkte nga druri pritet të trefishohet gjatë tre dekadave të ardhshme.
Sipërfaqja pyjore në Kosovë është rreth 481.000 ha ose 44.7% e sipërfaqes totale. Sipas ligjit për pyjet, Pyjet e Kosovës janë resurse kombëtare, do të udhëhiqen në atë mënyrë që të ofrojnë rendimente me vlerë dhe në të njëjtën kohë të ruhet biodiversiteti për të mirën e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Mbrojtja e pyjeve të Kosovës, ende mbetet në nivel jo të duhur.
Sipas disa hulumtimeve, niveli i shfrytëzimit të pyjeve dhe nevojave për dru zjarri është më e lartë sesa rritja vjetore e tyre. Në bazë të Inventarizimit të Pyjeve të Kosovës, rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.5 milionë metra kub, kurse prerja e lejuar është rreth 1.4 milionë metra kub, ndërsa sipas disa hulumtimeve, shfrytëzimi i drurit për ngrohje arrin në rreth dy milionë metra kub.
Kjo na paraqet një tejshfrytëzim të pyjeve nga mundësia e rritjes vjetore. Prerjet e kontrolluara dhe planifikuara nga institucionet përgjegjëse janë në nivel shumë të ulët krahasuar me kërkesat vjetore të popullatës. Mbi 80% e masës drusore konsiderohet se prehet në mënyrë jo të rregullt.
Në vazhdimësi, për vite të tëra ndodhë shfrytëzim i pa planifikuar dhe prerje e pa kontrolluar e pyjeve, degradimi i tokave pyjore nga ndërtimet, gurëthyesit, zjarret etj. Për shkak të këtyre degradimeve, pyjet po e humbin rolin e tyre dhe këto janë vetëm disa nga problemet e pyjeve në Kosovë. Zjarret pyjore, për momentin, janë shkatërruesit kryesorë të pyjeve ku brenda vitit digjen me qindra apo mijëra hektarë. Për shkak të të gjitha këtyre degradimeve, pyjet po e humbin rolin e tyre shumë funksional duke siguruar ushqim, ujë të pastër dhe ajër të pastër, rekreacion, materiale ndërtimi – me një fjalë, ekzistencë.