Komisioni i ngritur nga Akademia e Shkencave për konkursin e pranimit të anëtarëve të rinj të Akademisë së të Rinjve, në përputhje me kriteret bazë të Statutit dhe “Kartës themelore të ALLEA-s” ka shpallur 9 kandidatë fitues. Pas më shumë se katër muajsh nga data e fillimit, konkursi u mbyll dhe komisioni i pranimit shqyrtoi dosjet e kandidatëve të regjistruar; bëri pikëzimin e meritave të tyre shkencore dhe renditjen; verifikoi përputhshmërinë me kriteret dhe, në mbledhjen e sotme, shpalli nëntë fitues, si dhe rikonfirmoi tre nga anëtarët e mëparshëm nën moshën 40 vjeç. Me përbërjen e re, Akademia e të Rinjve ka quorum-in e nevojshëm për të funksionuar sipas ligjit e statutit. Anëtarët e rinj të Akademisë së të Rinjve janë Aulon Shabani, Erald Sino, Joniada Barjaba. Jonida Llupa, Klaudio Peqini, Ledia Vasjari, Redion Luli, Resul Telaj dhe Romina Muka. E themeluar me një vendim të Kryesisë në vitin 2017, Akademia e të Rinjve të Shqipërisë u bë një faktor shumë i rëndësishëm hapjeje ndaj studiuesve të rinj dhe ndërlidhjeje mes brezash. Anëtarët e saj bënë më të mirën për të promovuar një grupim studiuesish të shkencave humane e të sakta; për të rritur ndjeshmëritë dhe interesin për bashkëpunim me Akademinë e Shkencave; për të afruar bashkëpunëtorë me tregues cilësorë vlerësimi e indeksimi të punimeve të tyre. ASHSH, megjithëse në kushte të vështira në ato vite të fillimit, e vlerësoi si përparësi fuqizimin dhe afirmimin e brendshëm dhe të jashtëm të Akademisë së të Rinjve, e cila, me punën e saj, u bë anëtare e Global Young Academies dhe vendosi lidhje bashkëpunimi me ALLEA-n. Ringritja e Akademisë së të Rinjve të Shqipërisë po është detyrim ndaj Ligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” dhe ndaj Statutit të saj që të funksionojë sipas kornizës së re juridike. Në ligj dhe në statut ka parashikime detyruese si duhet të ndërtohet dhe funksionojë Akademia e të Rinjve. Së dyti, sepse ALLEA ka miratuar një “Kartë të re themelore” si rregullatore njësuese e mënyrës së ngritjes dhe funksionimit të akademive të të rinjve, e cila, me disa përshtatje, është miratuar nga Asambleja e ASHSH si statut i saj. Së treti, sepse, në respekt të kufirit moshor (deri në 40 vjeç), vetëm tre nga anëtarët themelues të Akademisë së të Rinjve mund të vazhdonin më tej anëtarësinë, duke mos pasur juridikisht mundësi për të marrë vendime. Asambleja e ASHSH, pas miratimit të “Kartës themelore” dhe kthimit të saj në statut; shpalli kriteret për pranime të reja dhe ngriti komisionin e pranimeve, të kryesuar nga akademiku Adrian Civici. ASHSH falënderon më së pari anëtarët e mëparshëm të Akademisë së të Rinjve, që udhëtuan bashkë me të në kohë të këqija e të mira. Sipas “Kartës themelore”, ata janë edhe më tej “alumni i ASHSH”. ASHSH falënderon gjithashtu gjithë kandidatët konkurrentë për pjesëmarrjen e denjë në garë dhe bën të ditur se në vitet e ardhshme do të ketë tjetër konkurs pranimesh të reja.
Ringrihet Akademia e të Rinjve të Shqipërisë, 9 kandidatë fitues
RELATED ARTICLES