Rinasi po përgatitet për një hap të rëndësishëm në zhvillimin e aviacionit civil shqiptar, me nisjen e fluturimeve direkte, pa tranzit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky zhvillim është pjesë e një strategjie më të gjerë për avancimin e aviacionit civil në vend, duke përfshirë futjen e organizatave të mirëmbajtjes së avionëve, hapjen e shkollave të aviacionit civil dhe ushtarak, si dhe zgjerimin e infrastrukturës aeroportuale.
Et’hemaj vuri në dukje se aeroporti i Vlorës ofron një avantazh të rëndësishëm për pasagjerët dhe turizmin, duke mundësuar akses më të shpejtë në rivierën shqiptare në më pak se një orë, falë përmirësimeve infrastrukturore të fundit si tuneli i Llogorasë dhe autostrada Rrogozhinë-Vlorë.
Sipas tij, në vitet e fundit, konkurrenca në tregun e aviacionit shqiptar ka sjellë ulje të çmimeve dhe rritje të numrit të pasagjerëve.
“Në vitin 2018 vetëm 6,7% e popullsisë kishte akses në fluturime, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër arriti në 42%, dhe këtë vit pritet të rritet në 47%. Parashikimet tregojnë se numri i pasagjerëve do të dyfishohet deri në vitin 2042, duke kaluar nga 12 milionë në 24 milionë”, shtoi ai.
Autoritetet synojnë që aviacioni të jetë një mjet transporti sa më i sigurt dhe i aksesueshëm për të gjitha shtresat e shoqërisë, duke ndihmuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit