Në kantierin e Ujërave Termale të Bënjës në Përmet vijojnë punimet për përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik dhe ndërhyrjeve rikualifikuese për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.


Ky projekt është i ndarë në disa zona të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për aktivitete, si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.

Ky investim parashikohet të përfundojë në muajin mars të vitit 2026.

Ujërat Termale të Bënjës në Përmet konsiderohen si më të mirat në Evropë. Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe Banjat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26- 32°C.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës.