I titulluar “Rikthimi i dallëndyshes”, koncerti i Ermonela Jahos përçoi magjinë e emocioneve të forta tek të pranishmit në sallë. “Një nga ato netë që do të mbetet gjatë në memorien e secilit prej nesh”, thuhet në postimin e TKOB në rrjetet sociale. Sopranoja me famë ndërkombëtare, e kishte vlerësuar këtë koncert si një rikthim për t’i dhënë kësaj skene sadopak nga dashuria dhe mirënjohja që i ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare. Në pritje të fillimit të koncertit, në shkallet e TKOB u krijua radhë e gjatë njerëzish. Biletat për këtë koncert u shitën në kohë rekord. Ndërkohë që Bashkia Tiranë u mundësoi ndjekjen e tij edhe atyre që nuk mundën të ishin brenda në sallë, duke vendosur një ekran në ambientet e jashtme të TKOB-së. Programi përmbante arie nga më të njohurat e repertorit operistik botëror të cilat u luajtën nga virtuozët e orkestrës të TKOB-së, drejtuar prej maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.