Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.

Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.

Xhamia ka një miksim të arkitekturës turke me atë arabe. Këtë e shohim që në hyrje. Hyn në një oborr të brendshëm i mbuluar me 12 kupola dhe tamburi kryesor që shkon në një lartësi deri në 20 metra. Është xhamia më e lartë në vendin tonë që vjen nga periudha osmane.

Në vitin 1948 Xhamia e Plumbit u shpall monument kulture, duke marrë statusin e mbrojtjes nga shteti.

Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.