Spartakiada rikthehet në Shkodër pas më shumë se 30 vitesh. Lajmin e dha kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale. “Shkodra e sportit nuk është një hashtag. Fituesit në gara ditë pas dite janë dëshmia më e mirë”, shkroi Beci.
Kryebashkiaku i Shkodrës, në nisje të Spartakiadës, u uroi shumë suksese të gjitha shkollave, nxënësve e mësuesve. Ai e përshkroi si frymëzues entuziazmin e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, të qytetit, që kishin mbushur pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në nisjen e spartakiadës.
Kjo ngjarje sportive i shërben masivizimit të sportit te të rinjtë dhe është një hap që vjen në prag të përgatitjeve që po bëhen për të mirëpritur aktivitetin “Shkodra, qyteti evropian i vitit 2025”.
Spartakiada nisi ditën e djeshme e do të vazhdojë deri më 31 maj, ku të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit do të garojnë në disiplina të ndryshme sportive në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe stadiumin “Loro Boriçi”.