Një statujë e apostullit “Shën Tomas” u rikthye në katedralen Notre-Dame në Paris, duke kompletuar kthimin e të 16 statujave që zbukuronin bazën e kambanarës përpara zjarrit shkatërrues të vitit 2019.

Statuja, me gjatësi tre metra dhe peshë 100 kilogramë, nuk u prek nga zjarri, pasi ishte hequr nga katedralja vetëm disa ditë më parë për restaurim rutinë, së bashku statujat e tjera.

“Kjo është pothuajse një mrekulli”, tha Marie-Hélène Didier, përgjegjëse për ndërtesat historike në rajonin e Parisit. “Është një simbol shumë i fuqishëm të shohësh të gjitha statujat sërish atje lart”, i tha ajo agjencisë AFP.

Pas bekimit nga kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich, statuja u vendos në bazën e kambanarës me një vinç. Ajo aktualisht qëndron e fshehur pas skelave që rrethojnë kambanarën, por do të jetë plotësisht e dukshme deri në fund të gushtit.

Notre-Dame ishte pranë shkatërrimit në vitin 2019, por u rinovua plotësisht nga brenda dhe iu vendos një çati dhe kambanare e re gjatë një restaurimi intensiv pesëvjeçar.

Të 16 statujat, që përfaqësojnë 12 apostujt dhe katër ungjilltarët sipas traditës katolike, u dizenjuan në vitin 1857 nga Eugène Viollet-le-Duc, arkitekti i kambanarës, dhe u gdhendën nga Adolphe-Victor Geoffroy-Dechaume.

Shkaku i saktë i zjarrit të vitit 2019 nuk është identifikuar kurrë, pavarësisht një hetimi  të hollësishëm , për të cilën u sugjerua si më e mundshme një aksident, p.sh. një defekt elektrik