Qendra Shëndetësore në Farkë të Madhe është rikonstruktuar dhe ky është një tjetër investim i Qeverisë shqiptare që i shtohet “zinxhirit” të 400 qendrave shëndetësore dhe ambulancave që janë rehabilituar deri tani.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë përmes një videoje në rrjetet sociale, imazhet e transformimit të kësaj qendre shëndetësore në një ambient me kushte bashkëkohore, që do të ofrojë shërbim shëndetësor për rreth tre mijë banorë
“400 qendra shëndetësore dhe ambulanca janë rehabilituar, në vijim të angazhimit tonë për të përmirësuar shërbimin shëndetësor parësor, nga të cilat 60 vetëm në vitin 2023-2024, duke garantuar shërbime cilësore për 1,6 milionë qytetarë”, thotë Koçiu.