Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE“Rikard, Përcjellja e fundit”

“Rikard, Përcjellja e fundit”

Filmi “Rikard, Përcjellja e fundit” mblodhi së bashku miq e familjarë të aktorit të njohur, Rikard Ljarja i cili kujtohet për karakteret dhe portretin e dashur në 22 filmat e realizuar. Tre vite pas ndarjes nga jeta, njëri prej miqve, regjisori Mevlan Shanaj dhe bashkëshortja e tij, skenaristja Natasha Lako, producenti Tan Kazazi, kompozitori Gent Rushi etj, të mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, por dhe të gjithë kineastët bashkë teksa kujtojnë bashkëpunimin e miqësinë me të, i bënë gati filmin e jetës, “Rikard, përcjellja e fundit”, që u shfaq si premierë në Kinema Millenium. “Rikard, Përcjellja e fundit”, ndërkaq shpërfaqi Shkodrën e viteve ‘50, ku gjendej edhe Rikardi i vogël, që adhuronte librat e dallonte në mësime. Si aktor protagonist, Ljarja spikat me rolin e Dedës te “Rrugë të bardha”, të cilin Mevlan Shanaj do ta quante filmin më të arrirë shqiptar, sepse dha shembullin e njeriut që flijohet për komunikimin mes njerëzve, flijohet për jetën e njerëzve të zakonshëm. Ai ishte edhe regjisor i 9 filmave dhe skenarist i dy filmave. I binte fizarmonikës dhe pianos, edhe këndonte, edhe pikturonte, edhe shkruante libra. Por filmi e vuri Rikardin në podin e nderit si aktor, si regjisor e sidomos si njeri, siç do të shprehej aktori Birçe Hasko. Nga interpretimi në orkestrën simfonike të Shkodrës ne moshën 17-vjeçare, te pasioni për aktrimin. Personazhet e filmave kujtojnë kur realizuan së bashku rolet në filmat “Komisari i Dritës”, “Në fillim të verës”, “Në pyjet me borë ka jetë”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Ilegalët”, “Duel i heshtur” etj. Roza Anagnosti tregon natyrshmërinë e interpretimit të tij dhe se si bashkë kishin një kimi artistike. Bujar Kapexhiu tregon se si Rikardi në kinema solli qytetarin. Dhimitër Anagnosti e quan europian që i dha frymë të re interpretimit, paçka se Rikardi vetë rrëfen se çdo gjë kalonte në filtrin e ideologjisë së kohës. Ndërsa për bijtë e tij, ai qe busulla, këshilluesi gjithë durim, që tashmë mungon. E sa për bashkëshorten, aktoren Marjeta Ljarja, ajo ndihet e mbështjellë ende nga kujtimet dhe emocionet e një jete të mahnitshme së bashku. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments